Lloji i Ankesave
Çdo shtetas shqiptar apo i huaj, person fizik/juridik, publik apo privat, mund të adresojë
pranë Agjencisë ankesë për shkelje të ligjit, të akteve nënligjore e Kodit të Etikës gjatë dhe për
shkak të ushtrimit të detyrës, nga punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Agjencia ka përgjegjësinë e administrimit dhe regjistrimit të çdo ankese që i adresohet asaj apo subjekteve të përcaktuara.
Kur ankesa adresohet pranë subjekteve të përcaktuara në nenin 5 të ligjit nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” për punonjësit e saj, Agjencisë i dërgohet menjëherë kopje e ankesës, si dhe informacion për trajtimin dhe përfundimin e hetimit. Në të gjitha rastet e mësipërme, Agjencia ka të drejtë të kërkojë informacion të thelluar për hetimet e kryera nga strukturat përkatëse ose të nisë kryesisht hetim për çdo ankesë që e gjykon të arsyeshme.
Ankesat dhe informacionet e publikut ndaj subjekteve të përcaktuara në nenin 5 të ligjit nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” vlerësohen dhe trajtohen si informacion i ligjshëm i Agjencisë dhe sipas përmbajtjes e rëndësisë, u nënshtrohen procedurave inspektuese ose hetimore. Agjencia është përgjegjëse për vlerësimin dhe trajtimin e ankesave në përputhje me
Kodin e Procedurës Administrative.
Për trajtimin e ankesës, Agjencia kryen këto detyra:
- a) siguron kushte teknike dhe administrative në nivel qendror dhe vendor për depozitimin e ankesave dhe informacioneve.
- b) administron, verifikon dhe trajton ankesat/informacionet ndaj subjekteve të Agjencisë, duke përfshirë edhe rastet kur këto publikohen në media, rrjete sociale apo forma të tjera të komunikimit;
- c) realizon një trajtim konfidencial, të paanshëm dhe në mbrojtje të lirive e të drejtave themelore të njeriut duke ruajtur integritetin e palëve.
Agjencia vendos për mosverifikimin dhe arkivimin e praktikës në rastet kur:
- a) veprimet dhe/ose mosveprimet e raportuara tregojnë haptazi se nuk përbëjnë shkelje të ligjit, akteve nënligjore dhe Kodit të Etikës;
- b) ankesa është e përsëritur dhe është trajtuar më parë nga ana Agjencisë.
Ankesat anonime pranohen nga Agjencia dhe verifikohen në varësi të përmbajtjes së informacionit të dhënë nga ankuesi.