Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijoi fushatën promovuese në qytetet e Vlorës dhe Fierit, ku zhvilloi mjaft takime me studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.
Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e AMP-së shoqëroheshin edhe nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, i cili gjatë takimeve theksoi mbështetjen e ambasadës amerikane për Agjencinë në funksion të zbatimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave të qytetarëve për të patur një shërbim policor korrekt dhe i standardeve më të larta europiane.
Takimi i parë u zhvillua me studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Përfaqësuesit e Agjencisë prezantuan misionin, objektin e veprimtarisë, organizimin dhe mjetet e komunikimit, përmes të cilave qytetarët mund të dërgojnë ankesat e tyre për punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës. Gjatë takimit u shpërndanë edhe materiale informuese, si fletëpalosje dhe kartvizita.
Takime të tjera u zhvilluan edhe në shkollat e mesme “Ali Demi” dhe “Halim Xhelo” në Vlorë dhe shkollat e mesme “Janaq Kilica” dhe “Perikli Ikonomi” në Fier, ku gjatë bashkëbisedimeve të hapura, nxënësit paraqitën edhe vërejtjet e tyre që lidheshin me punën e Policisë së Shtetit në funksion të sigurisë në shkolla dhe komunitet ku banojnë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar të rrisë bashkëpunimin me publikun në përmbushje të misionit të përcaktuar në ligj. Nxisim gjithë qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit, apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.
Për ankesat ndaj punonjësve të këtyre strukturave mund të telefononi në Numrin e Gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, ose mund të dërgoni E-mail në adresën tonë zyrtare ankesa@amp.gov.al. Gjithashtu, mund të vizitoni personalisht Zyrën e Pritjes së Qytetarëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku punonjësit tanë janë në gadishmëri për të pritur qytetarët nga ora 08:00 – 22:00, në 6 ditë të javës, ose të kontaktoni me specialistët tanë në Drejtoritë Rajonale të AMP-së të vendosur pranë Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe.