Njësia e Poligrafit pranë AMP mori pjesë në konferencën e 57-të të Shoqatës Amerikane të Poligrafit në Las Vegas, SHBA

Njësia e Poligrafit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore mori pjesë në konferencën e 57-të të Shoqatës Amerikane të Poligrafit, e cila u zhvillua në Las Vegas, SHBA, nga data 27 Gusht deri më 1 Shtator 2023. Përveç ekspertëve të poligrafit të AMP-së, në këtë konferencë morën pjesë edhe ekspertë nga 32 vende të botës.

Pjesëmarrja në këtë konferencë e Njësisë së Poligrafit pranë AMP-së, e cila është edhe anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Amerikane të Poligrafit prej vitit 2020, u mundësua nga programi “ICITAP” dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në këtë konferencë u referuan modelet më të mira nga përfaqësues të organizatave ligjzbatuese si FBI dhe Shërbimet Sekrete të SHBA-së, mbi përdorimin e poligrafit në rastet e parapunësimit, vettingut periodik të punonjësve dhe në rastet e testimeve poligrafike gjatë hetimeve penale.

Shoqata Amerikane e Poligrafit është organizata lider e poligrafëve në botë që përfaqëson më shumë se 2800 ekzaminues. Ajo vendos standarde të praktikave etike, teknikave, instrumenteve dhe kërkimit shkencor, në mbrojtje të publikut, duke verifikuar të vërtetën.