Procedurat E Ankesave

Forma e ankesës mund të jetë formale, e cila nënkupton aspektin shkresor të administrimit; ose jo formale, e cila nënkupton ankimin në mënyrë verbale përpara punonjësit të Agjencisë, apo nëpërmjet telefonit.Administrimi i ankesave bëhet pranë strukturave qendrore ose vendore të Agjencisë në rrugë shkresore dhe elektronike.

 

Administrimi në rrugë shkresore ka të bëjë me ankesat e ardhura nëpërmjet adresës zyrtare email ankesa@amp.gov.al, postës zyrtare ose në çdo formë tjetër të shkruar. Të gjitha ankesat që administrohen dhe merren në trajtim nga AMP regjistrohen në Sistemin e Menaxhimit të Ankesave me një Numër Unik, i cili shërben për ndjekjen në vazhdimësi të rastit, nga administrimi i ankesës deri në përfundimin e verifikimit dhe kthimin e përgjigjes ankuesit mbi hetimin administrativ apo penal sipas rastit.

 

Ankesa e ardhur nëpërmjet adresës së email-it ankesa@amp.gov.al, postës zyrtare ose në çdo formë tjetër të shkruar, protokollohet pranë sekretarisë së strukturës së Agjencisë ku është adresuar ankesa. Kur ankesa është administruar pranë strukturave qendrore të Agjencisë, në varësi të problematikës, ajo i kalon për trajtim punonjësit të strukturës ku është adresuar ankesa, ose u delegohet për trajtim strukturave vendore të Agjencisë.

 

Administrimi në rrugë elektronike ka të bëjë me ankesat e ardhura nëpërmjet linjës së gjelbër 08009090, paraqitjes së shtetasve pranë strukturave qendrore dhe vendore të Agjencisë, publikimit në median vizive/elektronike, apo forma të tjera. Këto ankesa evidentohen në Sistemin e Menaxhimit të Ankesave.

 

Në rastet kur pretendimet e ngritura në ankesë nuk janë objekt shqyrtimi i AMP-së, rasti i kalon për trajtim dhe kompetencë institucionit përkatës dhe shtetasi informohet në lidhje me këtë fakt.

 

Hetimi Administrativ i Ankesës

Punonjësi i Agjencisë kryen hetimin administrativ nëpërmjet;

  • identifikimit dhe intervistimit të punonjësve që pretendohet se kanë kryer shkelje,
  • identifikimit dhe intervistimit të personave që kanë qenë prezent në ngjarje,
  • intervistimit të ankuesit më lidhje me prova që sqarojnë rrethanat e ngjarjes.
  • kqyrjes së dokumentacionit,
  • kërkimit të informacionit nga strukturat që kanë për detyrë trajtimin e problematikës në fjalë,
  • komunikimit shkresor me struktura të tjera, të cilat kanë dijeni apo disponojnë të dhëna në lidhje me verifikimin e ankesës
  • administrimit kundrejt procesverbalit përkatës të çdo prove që shërben për verifikimin e ankesës.

 

Kur gjatë hetimit administrativ të ankesës konstatohen elementë të veprës penale, punonjësi kryen njëkohësisht hetimin penal, deri në referimin e veprës penale në prokurori.

 

Trajtimi dhe verifikimi i ankesës bëhet brenda 30 ditësh nga momenti i administrimit të saj.

Ankesa Me Email

    Denonco

    0800 90 90

     

    ankesa@amp.gov.al