Punonjës të AMP përfunduan trajnimin 2-ditor të organizuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri

Një grup punonjësish nga Agjencia morën pjesë në një trajnim me temë “Etika, të Drejtat e Njeriut dhe Praktika Proceduriale në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, organizuar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Në çeljen e trajnimit 2-ditor ishte edhe kreu i Prezencës së OSBE, Ambasador Bruce G. Berton, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse e vuri theksin tek thellimi i bashkëpunimit me Agjencinë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme edhe për tematika të tjera që shërbejnë për rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të AMP. Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu falenderoi Prezencën e OSBE-së për kontributin e saj në funksion të bashkëpunimit për rritjen e profesionalizmit dhe thellimin e njohurive të punonjësve të Agjencisë për përmbushjen me sukses të kontrollit të jashtëm demokratik të subjekteve të ngarkuara nga ligji për AMP.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me praktikat më të mira në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut dhe sjelljes anti-korruptive, ndërsa u diskutua gjithashtu edhe mbi profilizimin kriminal, aspektet proceduriale të punës së AMP, si edhe praktika hetimore.

Në fund të këtij trajnimi, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu dhe përfaqësues të OSCE iu shpërndanë punonjësve edhe Çertifikatat e pjesëmarrjes.