Një grup prej 17 punonjësish nga SHÇBA morën pjesë sot në një seminar mbi aspektet praktike të vlerësimit të pasurisë, si pjesë e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.
Procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do të realizohet paralelisht edhe nga SHÇBA, ose Agjencia për Mbikëqyrjen Policore me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Në këtë kontekst, gjatë seminarit u shqyrtua një qasje krahasuese e legjislacionit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i mundësuar nga ligji nr. 84/2016 dhe legjislacionit për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, sipas ligjit nr. 12/2018.
Gjatë seminarit u identifikuan nevojat parapërgatitore dhe u vlerësuan kapacitetet për procesin e vlerësimit të pasurisë së subjekteve të ligjit, në kontekstin e parimeve themelore për zhvillimin e ekzaminimeve dhe analizave financiare në kuadër të hetimeve të ndryshme për identifikimin e mashtrimeve, sipas qasjes së Shoqatës së Egzaminuesve të Certifikuar të Mashtrimeve (ACFE), me bazë në Texas, SHBA.
Seminari ishte pjesë e axhendës për implementimin e projektit “Promovimi i Integritetit dhe Qeverisjes së Mirë në Vendet e Ballkanit Perëndimor” nga CIDS (Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes), ndërsa i ftuar si ekspert CFE (Ekzaminues i certifikuar kundër mashtrimeve nga ACFE), ishte Z. Edval Zoto.
SHÇBA do të vijojë të ndjekë filozofinë e përmirësimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të punonjësve në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore për zbatimin e ligjit.