Strukturat e Drejtorisë Qendrore të Hetimit të SHÇBA-së finalizuan me sukses operacionin “KONTROLLORI” ku janë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 punonjës të policisë, kontrollorë në PKK Durrës:
1. A.Gj., 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;
2. G.B., 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;
3. G.Ç., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës;
4. D.D., 53 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;
5. D.Z., 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;
6. J.K., 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.
Arrestimi i tyre u bë në funksion të hetimeve penale, në kuadër të procedimit të vitit 2018, kryer nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lek dhe euro, në vlerën 2.175 euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës.