SHÇBA arreston një punonjës policie në Fier

SHÇBA arreston punonjësin e policisë në Fier, të akuzuar për “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, kreu arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë N/komisar P. SH., me detyrë Specialist për Trajnimet në Repartin e FNSH – Fier për veprat penale “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, në rrethanat e mëposhtme:

Rreth orës 02:00 të datës 13.02.2020, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, pikërisht në fshatin Sheq i Madh, aksi rrugor Fier – Mbrostar, pranë karburant ALPET, punonjësi i policisë N/komisar P. SH. ka dalë nga rruga duke dëmtuar gardhin e oborrit të shtëpisë së shtetasit S. M.
Ky i fundit, ka dalë nga shtëpia dhe ka debatuar me punonjësin e policisë, debat i cili ka degjeneruar në konflikt fizik mes tyre. Në këtë përplasje fizike, punonjësi i policisë është prezantuar dhe ka nxjerrë armën e shërbimit.
Edhe pas këtij veprimi, konflikti fizik ka vijuar mes tyre dhe në përleshje e sipër arma ka realizuar qitje ku si pasojë i ka shkaktuar djegie në një nga gishtat e dorës, shtetasit S. M.

Në këto kushte, janë kryer veprimet e plota proceduriale në vendngjarje dhe punonjësi i policisë është arrestuar në kushtet e flagrancës.

Materialet proceduriale ju dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Hetimet vazhdojnë