SHÇBA arreston punonjësin e Policisë në Gruemirë të Malësisë së Madhe për “Ngacmim seksual”

Shkodër

Shërbimi për Çështjet e Brëndshme dhe Ankesat, (SHÇBA) duke marrë shkas nga publikimi në media i një materiali video ku një punonjës policie shfaqet duke kryer veprime të turpshme, në vleresim te veprimeve paraprake hetimore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë me iniciale B.B, specialist i Policimit në Komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe i dyshuar per vepren penale ”Ngacmim seksual”.

Nga hetimet rezulton se materiali video është regjistruar në ambjent të mbyllur (banesa personale), kjo e dokumentuar nga kqyrja e banesës.

Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar dhe kqyrur aparati i telefonit me të cilin dyshohet se ka kryer komunikimin.

Nga verifikimet e kryera nga SHÇBA, nuk u evidentuan fakte dhe rrethana, të cilat provojnë se ka patur një ankesë drejtuar në Polici nga ndonjë shtetas për rastin në fjalë.

Për këtë rast po hetohet nga sektori për Krimet Kompjuterike për identifikimin e personit dërgues të mesazhit dhe videos që u dërgua për publikim në media.

SHÇBA nxit dhe inkurajon personin denoncues apo këdo që ka dijeni për rrethana apo informacione për këtë rast apo raste të tjera të denoncojë duke u garantuar anonimatin dhe dhënien e mbrojtjes së menjëhershme.

SHÇBA falenderon median për bashkëpunimin dhe garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim të qytetarëve duke i nxitur ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë nga punonjës të Policisë së Shtetit.