Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, Nënkomisar F. S., i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik” për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.