SHÇBA ekzekuton vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan ndaj një punonjësi policie në Gramsh të dyshuar për “Shpërdorim detyre”

Gramsh – Sot më datë 19.11.2021, nga ana e Drejtorisë Rajonale SHÇBA Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të Procedimit Penal nr. 978, viti 2021, ndjekur me metoda special të hetimit, u bë ekzekutimi i Vendimit Penal datë 16.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka vendosur të caktojë masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj:
– Inspektor T. R., 52 vjeç, me detyrë N/Specialist për policimin në komunitet në Komisariatin e Policisë Gramsh.
Nga kryerja e veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar se punonjësi i policisë T. R., në shpërdorim të detyrës ka favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën që ai mbulon, pasi në fshatin Kuturqare, Njësia Administrative Sult, Bashkia Gramsh, më datë 15.07.2021 janë konstatuar të mbjella një sasi fidanësh dhe bimësh narkotike të dyshuara Canabis Satiiva, të përmasave të ndryshme.
Materialet hetimore i kaluan Prorurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.