SHÇBA finalizoi operacionin “Abuzuesit e detyrës 2”, pezullohen nga detyra 7 punonjës policie

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat( SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Abuzuesit e detyrës 2”.

Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme të subjekteve të këtij procedimi. Ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Punonjësit e Policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës. Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.

Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për:

– Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme;

– S.D., Ndihmës/specialist për Rendin;

– M.C., Ndihmës/specialist për Rendin;

– N.S., Ndihmës/specialist për Rendin;

– K.D., Ndihmës/specialist për Rendin;

– D.S., Ndihmës/specialist për Rendin;

– F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.

SHÇBA nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.