SHÇBA zhvillon fushatë sensibilizuese në Qarkun Shkodër

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka zhvilluar sot në Qarkun Shkodër disa aktivitete sensibilizuese duke u fokusuar në informimin e publikut rreth objektit të veprimtarisë së institucionit, në kuadër të fushatës promovuese që Shërbimi ka ndërmarrë në disa qarqe të vendit.

Specialistët nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat zhvilluan takime me nxënës të maturës në shkollat e mesme “28 Nëntori” në Shkodër dhe “Sherif Hoxha” në Malësinë e Madhe. Pasi u bë një paraqitje e historikut, objektit të veprimtarisë së Shërbimit, si edhe mjeteve të ndryshme të komunikimit që janë vënë në dispozicion të publikut për çdo ankesë që mund të kenë lidhur me strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe shërbimit Zjarrfikës, u shpërndanë edhe materialet informuese përkatëse.

Një takim i frytshëm dhe me pjesëmarrje mjaft të madhe u zhvillua edhe me studentë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, të cilët gjithashtu u njohën me objektin e veprimtarisë dhe mënyrat e ndryshme të komunikimit me Shërbimin, në funksion të marrjes së ankesave. Gjatë këtij takimi u shpërndanë kartvizita, fletëpalosje dhe broshurat, ku është publikuar edhe Raporti Vjetor i SHÇBA-së për vitin 2018.

Përfaqësuesit e SHÇBA-së zhvilluan gjithashtu një takim me drejtues të Prefekturës Shkodër, ku u diskutua për një rritje të bashkëpunimit mes të dyja institucioneve sa i përket informimit të qytetarëve në nivel lokal rreth aktivitetit të Shërbimit, si edhe delegimit të ankesave që lidhen me strukturat që janë objekt i veprimtarisë së SHÇBA-së.

Takime të tjera u zhvilluan me qytetarë të ndryshëm në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit dhe Han i Hotit, të cilëve iu shpërndanë edhe materiale informuese, si kartvizita dhe fletëpalosje.

Një takim informal u zhvillua gjithashtu edhe me drejtuesit kryesorë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, me të cilët u diskutuan në vija të përgjithshme problematikat e hasura më shpesh bazuar mbi ankesat dhe inspektimet, të cilat nevojitet të mbahen në vëmendje për përmirësimin e shërbimit policor ndaj qytetarëve.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të vijojë fushatën promovuese në qarqet e Lezhës, Durrësit dhe Tiranës.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që për çdo abuzim dhe shkelje të ligjit, apo sjellje të pahijshme nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo shërbimit Zjarrfikës të kontaktojnë Zyrën e Ankesave të SHÇBA-së përmes numrit të gjelbër (pa pagesë) 0800 90 90, ose mund të dërgojnë mesazh përmes adresës zyrtare të email-it ankesa@amp.gov.al.