Më datë 15.06.2020, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr.2 Tiranë, realizoi ekzekutimin e urdhërave të ndalimit për një punonjës të Gardës së Republikës, si dhe 6 shtetasve të tjerë, nderkohë që një shtetas tjetër u shpall në kërkim.
Ndalimi i Punonjësit të Gardës së Republikës, Rreshter A. K., 31 vjeç, u bë pas një hetimi me metoda speciale për një periudhë disa mujore, pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale “Prodhim e shitje narkotikësh”.
Nga ana e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, ndaj tij është regjistruar procedimi penal për veprat “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtje e municioneve luftarake pa lejen e organeve kompetente shtetërore”.
Pas kryerjes së ekzekutimit të urdhërave të ndalimit, ndaj këtij subjekti dhe shtetasve të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale, u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një numër i konsiderueshëm aparatësh celularë si dhe automjete.
Materialet e mësipërme ju referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime më të thelluara.
SHÇBA vijon punën në bashkëpunim me Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P Tiranë për identifikimin e lidhjeve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si edhe grumbullimin e provave dhe fakteve në kuadër të Procedimit të regjistruar për veprën penale “Prodhim e shitje narkotikësh”.