Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me SHÇBA Fier dhe Prokurorinë Pranë Gjykatë së Shkallës së Parë Lushnjë, finalizuan një operacion të përbashkët, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, përmes përdorimit të metodave speciale të hetimit.
Në përfundim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë:
– I.V., 38 vjeç, me detyrë punonjës policie;
– A.SH., 43 vjeç, nga Divjaka;
– L.B., 53 vjeç, nga Divjaka;
– H.M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye pasi u kapën në kushtet e flagrancës, në hyrje të qytetit të Divjakës, në lokalin e shtetasit L.B., me 33.5 gr të dyshuar kokainë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A.SH. në Divjakë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu pa leje, 2 pajisje për prodhimin e fishekëve, si edhe një sasi baruti për prodhimin e fishekëve të gjuetisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë:
– ndaj punonjësit të policisë I.V. dhe shtetasit H.M. për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”;
– ndaj shtetasit A.SH. për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”;
– ndaj shtetasit L.B., për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.
SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin 0800 90 90 çdo shkelje apo abuzim të punonjësve të Policisë.