SHÇBA në bashkëpunim me DVP Korçë ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Në datë 18 gusht 2020, ora 23:40 u arrestua në flagrancë G.H., me detyrë punonjës policie SPZ në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë. 24 vjeçari akuzohet për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ky shtetas duke udhëtuar me automjetin e tij, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në dalje të qytetit.

Nga kontrolli ka rezultuar se me automjetin e tij po transportonte dy migrantë sirianë, të cilët i ka marrë në dalje të qytetit të Bilishtit për t’i dërguar drejt Tiranës kundrejt shpërblimit prej 70 eurosh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, karta ID, patenta, pistoleta TT, 450 euro, 10 mijë lekë, 3 telefona celularë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 apo duke denoncuar në Komisariatin Dixhital, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.