Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, pas një hetimi disa mujor kanë dokumentuar dhe goditur një rast të shpërdorimit të detyrës ku dyshohet se janë të implikuar dhe punonjës të Policisë Kufitare.
Procedimi penal është regjistruar për veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera, më shumë se një herë” parashikuar nga neni 174/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A.G., i cili është nën masën “Arrest në burg”.
Gjatë hetimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave, janë kryer verifikimet ku ka rezultuar se vetëm ky shtetas, ka arritur të futet në territorin shqiptar me 54 automjete (relativisht të shtrenjta) për të cilat vetëm për 5 prej ka kryer zhdoganimet, për periudhën 2017–2019. Dyshohet përmes lidhjeve me punonjës në strukturat e Policisë Kufitare është kryer veprimtaria e kontrabandimit të mjeteve motorrike, kryesisht në Pikat Kufitare Qafë-Botë dhe Kapshticë.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, SHÇBA në 24 orët e fundit, në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit, Sarandë dhe Korçë, të mbështetur dhe nga strukturat operacionale të SHÇBA-së, ekzekutuan 10 vendimet e Gjykatës.
Kështu arrestuar 4 punonjës policie, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”:
– Inspektor Sh.G., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor N.L., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor K.Ç., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor Th.Gj., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë.
Gjithashtu është caktuar dhe masa e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për punonjësit e policisë:
– Inspektor A.P., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë-Botë, Sarandë;
– Inspektor A.H., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektore E.Sh., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore E.D., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore F.M., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore J.K., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.