Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat zhvilloi sot një seri takimesh në qytetin e Vlorës në kuadër të fushatës prezantuese dhe sensibilizuese

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat zhvilloi sot një seri takimesh në qytetin e Vlorës në kuadër të fushatës prezantuese dhe sensibilizuese, me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes SHÇBA-së, qytetarëve dhe institucioneve që janë objekt i veprimtarisë.

Takimi i parë u zhvillua në ambientet e shkollës së mesme “Ali Demi” me nxënës maturantë, të cilët u njohën gjerësisht me Shërbimin, duke nisur nga objekti i veprimtarisë, rolin e tij si agjenci që garanton zbatimin e ligjit dhe të gjitha mjetet e hapura të komunikimit në funksion të bashkëpunimit me qytetarët, lidhur me ankesat që ata mund të kenë për punonjësit e institucioneve që janë objekt i veprimtarisë sonë. Në fund të takimit, përfaqësuesit e Shërbimit shpërndanë edhe materiale imformuese.

Takimi i rradhës u zhvillua në ambientet e DVP Vlorë, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Z. Artion Duka, Drejtorit të Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë, Z. Luan Hysenj dhe një grupi të gjerë drejtuesish dhe punonjësish të këtyre Drejtorive. Gjatë takimit u prezantua Shërbimi, si dhe prioritetet e strategjitë për vitin 2019, ndërsa theksi u vendos në rritjen e bashkëpunimit institucional në funksion të zbatimit të ligjit dhe përmbushjes së objektivave të vendosur. Në fund të takimit u diskutuan edhe përgjegjësitë e SHÇBA-së me ndryshimet e fundit në ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit. Një grup përfaqësuesish nga Shërbimi shpërndau materiale informuese dhe kartvizita tek një grup qytetarësh në Zyrën e Pritjes së Qytetarëve.

Në përfundim, specialistë nga SHÇBA kontaktuan me qytetarë të ndryshëm në ambientet e Portit të Vlorës, të cilët u njohën me misionin, objektin e veprimtarisë dhe mjetet e ndryshme të komunikimit. Edhe gjatë këtyre takimeve u shpërndanë materiale informuese dhe kartvizita. Fushata prezantuese dhe sensibilizuese do të vijojë me takime të tjera edhe ditën e nesërme në qytetin e Vlorës.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbetet i përkushtuar në krijimin e të gjitha kushteve për një marrëdhënie sa më të hapur dhe të sinqertë me publikun, në funksion të përmbushjes së misionit të përcaktuar në ligj.

SHÇBA fton qytetarët që të kontaktojnë në numrin e gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, për të denoncuar çdo rast abuzimi, shkelje të ligjit, apo sjellje të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës. Gjithashtu, mund të dërgoni mesazh me Email në postën tonë elektronike ankesa@amp.gov.al
Për informacione më të detajuara rreth SHÇBA mund të vizitoni faqen tonë zyrtare www.shcba.gov.al .