Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve disa mujore zbuluan dhe goditën një skemë mashtrimi ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie nga DVP Shkodër, që merren me shërbime ndaj të tretëve.
Hetimi zbuloi se disa shtetas që aplikonin për përfitimin e Çertifikatave si punonjës të shërbimit të SHPSF-ve, dyshohet se janë pajisur me dokumente të falsifikuara duke anashkaluar procedurat verifikuese e trajnuese të detyrueshme, si Akademia e Sigurisë, Shoqëritë Private të Sigurisë të licensuara për trajnime, si dhe Komisionin e Çertifikimet në DVP Shkodër.
Në vijim të procedimit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” (për arsye shëndetësore), ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar V.N., me detyrë Specialist për Shërbimin ndaj të Tretëve, në DVP Shkodër.
SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë skemë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre, si dhe ndaj shtetasve që kanë përfituar Çertifikata në kundërshtim me ligjin për ushtrimin e këtij profesioni në subjektet e SHPSF.
SHÇBA nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.