SPAK dërgon për gjykim OPGJ Sokol Canameti pas hetimit të AMP-së

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.181 të vitit 2022 dhe në përfundim të tyre në datën 24.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
1. Sokol Canameti, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal;
2. Erjon Kuzari, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe,
3. Flatin Kuzari, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga tërësia e hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi dhe provat e grumbulluara provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, më datë 10.10.2022 të pandehurit Flatin Kuzari dhe Erjon Kuzari, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë shumën prej 235.000 (dyqind e tridhjetë e pesë mijë) lekë oficerit të policisë gjyqësore Sokol Canameti, në këmbim të lënies së lirë, të shtetasit Erjon Kuzari i cili ishte kapur nga autoritetet e policisë në posedimin e një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë një ditë më parë, pra në datë 09.10.2022.
Oficeri i policisë gjyqësore Sokol Canameti, duke shfrytëzuar funksionin e tij, me rol në procedurën e shoqërimit të një personi të dyshuar të kapur me lëndë narkotike, e duke qenë referues i veprës penale në prokurori, ka abuzuar duke ushtruar presion, se do ta arrestonte shtetasin Erjon Kuzari, nëse ai nuk do ti jepte shumën prej 2000 eurosh. Pra ai ka kërkuar që kjo shumë ti dorëzohej brenda ditës, duke vendosur dhe orar. Ai është takuar me babain e Erjonit, shtetasin Flatin Kuzari, i cili në kushte të vështira ekonomike, e kishte siguruar këtë shumën duke e marrë hua, tek të njohur të tij, dhe rreth orës 19.00 të datës 10.10.2022, ia ka dhënë këtë shumë oficerit të policisë gjyqësore në afërsi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Hetimet e këtij procedimi janë kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit të posaçëm.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë