Takim me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit

Përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zhvilluan sot një takim me studentë të Programit Master në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në Universitetin Bujqësor të Tiranës me pjesëmarrjen e Drejtueses së Drejtorisë së Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik, Ferzilet Osmëni dhe Dekanit të këtij Fakulteti, Remzi Keço.

Diskutimet me studentët u fokusuan mbi veprimet e punonjësve të policisë bazuar në eksperiencat e tyre në raste specifike, ndërsa ata u njohën gjithashtu me misionin, objektin e veprimtarisë, mënyrën e organizimit, mjetet e komunikimit në dispozicion të publikut si edhe informacione të tjera në lidhje me procedurat e ankesave për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore falenderon stafet akademike për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë për organizimin dhe zhvillimin e takimeve me studentët, të cilat synojnë të rrisin bashkëpunimin e ndërsjelltë AMP-studentë.

AMP mbetet e përkushtuar të forcojë edhe më tej bashkëpunimin me publikun, i cili ka rezultuar mjaft i frytshëm në përmbushje të misionit tonë. Inkurajojmë të gjithë studentët dhe qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit, apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.

Për çdo ankesë lidhur me punonjës të këtyre strukturave mund të telefononi në Numrin e Gjelbër (pa pagesë) 08009090, ose mund të dërgoni E-mail në adresën tonë zyrtare ankesa@amp.gov.al.