Në vijim të fushatës promovuese dhe sensibilizuese që ka nisur në Fakultete të ndryshme në Tiranë, përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zhvilluan sot një takim me studentëtë gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës me pjesëmarrjen e Zv. Drejtorit të Përgjithshëm Dritan Dorda dhe profesores së gazetarisë Irisi Luarasi.
Gjatë këtij takimi, studentët u njohën me misionin, objektin e veprimtarisë, mënyrën e organizimit, si edhe të gjitha mjetet e komunikimit në dispozicion të publikut, në lidhje me ankesat për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.
Biseda me studentët u zhvillua si një diskutim i hapur mbi eksperiencat e studentëve në raport me veprimet apo mosveprimet e punonjësve të policisë, për raste kur ata vetë kanë qenë të përfshirë, ndërsa në fund të takimit u zhvillua edhe një anketim, përmes të cilit synohet mbledhja e të dhënave për matjen e perceptimit të studentëve për Policinë e Shtetit në tërësi, apo struktura të veçanta të saj.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore falenderon stafet akademike për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë për organizimin dhe zhvillimin e takimeve me studentët, të cilat synojnë të rrisin bashkëpunimin e ndërsjelltë AMP-studentë.
AMP mbetet e përkushtuar të forcojë edhe më tej bashkëpunimin me publikun, i cili ka rezultuar mjaft i frytshëm në përmbushje të misionit tonë. Inkurajojmë të gjithë studentët dhe qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit, apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës.
Për çdo ankesë lidhur me punonjës të këtyre strukturave mund të telefononi në Numrin e Gjelbër (pa pagesë) 08009090, ose mund të dërgoni E-mail në adresën tonë zyrtare ankesa@amp.gov.al.