Tiranë – AMP ekzekuton vendimin e Gjykatës për një punonjës policie.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar Vendimin datë 11.06.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për punonjësin e policisë N. C.,  33 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Kallëzimi i rremë”.

Ky punonjës policie, në mosrrespektim të atributeve për shkak të funksionit organik, me datë 02.12.2022 ka kryer shoqërimin pa arsye të ligjshme të shtetasit Z. Z., të cilin gjatë kohës së qëndrimit në ambjentet e Komisariatit, e ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike. Gjithashtu, për të manipuluar veprimet e kryera prej tij, ky punonjës policie ka depozituar kallëzim penal ndaj këtij shtetasi për “Kundështim të punonjësit të policisë”.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.