Tiranë – Sot, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilin është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë:
– Kryekomisar Q.G., me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë;
– Inspektor D.L., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, kandidat në procesin e konkurimit për gradën “Nënkomisar”.
Vendimi i GJPKKO për masën e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë u mor pas hetimeve disa mujore të kryera nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, në funksion të procedimit penal Nr. 382/2021 për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar përkatësisht nga nenet 245/1 dhe 186/1 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve të kryera në përdorim të metodave speciale, u bë e mundur të dokumentohej me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të policisë, e cila konsistonte në dhënien e premtimeve dhe kryerjen e veprimeve konkrete për të favorizuar në mënyrë të padrejtë kandidatët që konkuronin në testimin për gradën “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.
Subjektet e këtij procedimi penal, në procesin e konkurimit kanë depozituar dhe përdorur dokumente të fallsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurentëve.
Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve.
Veprimet dhe aktet proceduriale u referuan në SPAK. Hetimet vazhdojnë.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
***
Tiranë – Më datë 01.12.2021, bazuar në kallëzimin e shtetasit A.C., nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë u referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të punonjësit të policisë Inspektor M.E., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
Punonjësi i policisë M.E. dyshohet se më datë 26.11.2021, rreth orës 14:15, në rrugën “Brigada VIII” Tiranë, duke qenë jashtë orarit të shërbimit, është përplasur fizikisht për motive të dobëta me shtetasin A.C.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
***
Kukës – Më datë 28.11.2021, Drejtoria Rajonale e SHÇBA Kukës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A.B., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/2 i Kodit Penal.
Arrestimi u krye pasi më datë 28.11.2021, rreth orës 15:45, në vendin e quajtur “Qafa Tobli” në aksin rrugor Krumë – Kukës, duke drejtuar mjetin “Opel”, ka humbur kontrollin duke goditur mjetin “Skoda” me drejtues shtetasin B.L., 28 vjeç.
Në mjetin që drejtohej nga shtetasi B.L. ndodheshin edhe dy pasagjerët 19 vjeçe e 21 vjeç, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta dhe pas marrjes së mjekimit në spitalin e Kukësit, janë larguar në banesë. Shtetasi I. L., 21 vjeç, ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Kukësit e më pas është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin e Prizrenit, ndërsa punonjësi i policisë A.B. ndodhet i shtruar në spitalin e Kukësit. Të dy gjenden jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesit e mjeteve i janë nënshtruar testeve të alkoolit me paisjen drager dhe ka rezultuar se nuk kishin konsumuar pije alkoolike.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.