Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, pas një hetimi disa mujor me metoda pro-aktive ka goditur disa zyrtarë e shtetas, që dyshohet se favorizonin ndërtimet pa leje kundrejt shpërblimit financiar. Kjo në zona të shpallura të mbrojtura në Velipojë, Shkodër.
SHÇBA ka arrestuar 5 persona për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, mes tyre 2 punonjës policie.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar masën ‘Arrest në burg” janë arrestuar:
– P.Z., me detyrë Specialist në Hetimin e Krimeve, në Stacionin e Policisë Velipojë;
– R.B., me detyrë SPZ, në Stacionin e Policisë Velipojë;
– R.K., me detyrë Inspektor i Policisë Ndërtimore në Bashkinë Shkodër.
Gjithashtu janë ndaluar edhe 2 shtetasit:
– N.K., 45 vjeç, nga Mali Jushit, Shkodër;
– B.N., 37 vjeç, nga Velipoja.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra, punonjësit e Policisë dhe ai i IMT-së, dyshohet se kanë lejuar që në zonën e Velipojës (e klasifikuar si “Zonë e mbrojtur”) të kryhen ndërtime pa leje në masë. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme për funksionarët publik dhe dy shtetasit.
SHÇBA falënderon dhe nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.