Vetingu në Polici, AMP shkëmbim eksperience me KPK

Anëtarët e Trupës Vlerësuese pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zhvilluan sot një takim me Këshilltarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut në Polici.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen njohuri, mendime dhe eksperienca të KPK mbi aspekte të ndryshme të procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat do të shërbejnë si një vlerë e shtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale të Trupës Vlerësuese gjatë procesit të vlerësimit kalimtar e periodik në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Diskutimet më së shumti u fokusuan tek sfidat që mund të hasen në shtyllat e vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës, ndërsa u prekën edhe fusha të tjera, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor për të siguruar institucione të forta e të besueshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vijojë më tej bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe publikun për të garantuar një proces sa më transparent dhe të drejtë në kuadër të vetingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.