AMP ekzekuton vendimin e Gjykatës për një oficer policie me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për një oficer policie me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj oficerit të policisë Inspektor E.P., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky procedim është ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas dyshimeve se oficeri i policisë, Inspektor E.P. ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh, duke mos i ndëshkuar me masë administrative.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090.