AMP Korçë ekzekuton vendimin e Gjykatës për 3 punonjës policie

Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre efektivëve të Komisariatit të Policisë Korçë.

Me vendimin penal Nr.175, datë 28.06.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur:

–          Të caktojë ndaj shtetasit E. B., 25 vjeç, masën e sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, duke u pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës së Punonjës i Policisë në Komisariatin e Policisë Korçë.

–          Të caktojë ndaj shtetasit E. R. masën e sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, duke u pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës së Punonjës i Policisë në Komisariatin e Policisë Korçë.

–          Të caktojë ndaj shtetasit SH. T. masën e sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, duke u pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës së Punonjës i Policisë në Komisariatin e Policisë Korçë.

Hetimet ndaj punonjësve të mësipërm janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP Korçë pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se gjatë periudhës së pandemisë (koha nuk është përcaktuar) shtetasi A. K. është shoqëruar në polici nga patrulla e përbërë nga punonjësit e mësipërm, ku ndaj tij është vendosur masë administrative për shkelje të rregullave të vendosura gjatë kësaj kohe me qëllim parandalimin e  pandemisë.

 

Gjatë kohës që ky shtetas po transportohej me mjetin e policisë, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se punonjësi i policisë, Inspektor E. B. ka filmuar në kundërshtim me ligjin shtetasin A. K., pamje filmike të cilat janë postuar në rrjete sociale nga persona ende të paidentifikuar.

Nga këqyrja e këtyre pamjeve filmike evidentohet se gjatë shoqërimit, punonjësit e policisë ushtrojnë presion ndaj shtetasit të mësipërm, duke i thënë se do arrestohet për vjedhje dhe duke e akuzuar pa të drejtë, edhe pse shoqërimi i tij ka qenë për shkelje të regullave anti-Covid.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.