AMP zhvilloi takime sensibilizuese me nxënës dhe studentë në Durrës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zhvilluar në qytetin e Durrësit disa aktivitete sensibilizuese, duke u fokusuar në informimin e nxënësve dhe studentëve rreth objektit të veprimtarisë dhe mënyrave të ndryshme të komunikimit të vëna në dispozicion të qytetarëve.

Specialistët nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zhvilluan takime me nxënës të maturës në shkollat e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe “Rilindja” në Durrës. Gjatë këtyre takimeve u bë një paraqitje e historikut, objektit të veprimtarisë së Shërbimit, si edhe mjeteve të ndryshme të komunikimit që janë vënë në dispozicion të publikut për çdo ankesë që mund të kenë lidhur me strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe shërbimit Zjarrfikës, ndërsa nxënësve iu shpërndanë edhe materialet informuese përkatëse.

Një takim i frytshëm dhe me pjesëmarrje mjaft të madhe u zhvillua edhe me studentë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, të cilët gjithashtu u njohën me objektin e veprimtarisë dhe përgjegjësitë e Agjencisë në funksion të zbatimit të ligjit, si edhe procesit të vlerësimit kalimtar e periodik. Gjatë këtij takimi u shpërndanë kartëvizita dhe fletëpalosje, ku janë publikuar edhe mënyrat e ndryshme të komunikimit me Agjencinë, në kuadër të denoncimit të shkeljeve të ligjit, apo sjelljeve të pahijshme të punonjësve të strukturave që janë objekt i veprimtarisë së AMP.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vijojë fushatën promovuese edhe në qytete të tjera dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që për çdo abuzim dhe shkelje të ligjit, apo sjellje të pahijshme nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo shërbimit Zjarrfikës të kontaktojnë Zyrën e Ankesave të AMP-së përmes numrit të gjelbër (pa pagesë) 0800 90 90, ose mund të dërgojnë mesazh përmes adresës zyrtare të email-it ankesa@amp.gov.al.