Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Z. Rrumbullaku pret në takim një delegacion nga Britania e Madhe

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Z. Muhamet Rrumbullaku zhvilloi një takim pune me një delegacion nga Britania e Madhe, i cili kryesohej nga Z.Richard Bone, Këshilltar për Zhvillimin e Kapaciteteve në Ambasadën e Britanisë së Madhe, si edhe ekspertët nga Shërbimi Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për Ndihmë Policore, Z. Darrin Tomkins dhe Z. Matthew Timms.
Ky takim ishte vijues në kuadër të vizitës së ish-drejtuesit të Policisë Metropolitane, Lord Hogan-Howe më 31 Maj 2022, me fokus intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe identifikimin e fushave ku strukturat homologe në Britaninë e Madhe mund të asistojnë Agjencinë, me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale.
Delegacioni Britanik u shpreh se “Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për Britaninë dhe ne duam të ndërtojmë një bashkëpunim reciprok, në funksion të identifikimit të nevojave, me qëllim ofrimin e asistencës së duhur”.
Nga ana e tij, z. Rrumbullaku bëri një panoramë të detajuar të organizimit dhe fushave të përgjegjësisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke theksuar se një nga objektivat kryesore të tij është rritja e mëtejshme e besimit të publikut dhe imazhit të Agjencisë përmes goditjes së korrupsionit dhe paligjshmërisë nga punonjësit e strukturave, gjë e cila arrihet nëpërmjet kryerjes së hetimeve proaktive profesionale dhe të paanshme.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së u shpreh se në kuadër të krijimit të urave të bashkëpunimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, Agjencia mirëpret mbështetjen e Britanisë së Madhe, në drejtim të asistencës teknike, apo trajnimeve të personelit për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale, në kuadër të hetimeve proaktive, administrative, apo atyre pasurore.